Kujdes, nuk kemi nevojë për “tokë të djegur”

Toka bujqësore është çelësi i suksesit të çdo ferme bujqësore, e cila duhet të shfrytëzohet përmes menaxhimit të duhur dhe të kujdesshëm agronomik. Nëse i ndezni hamujtë dhe mbetjet organike, do të jeni armiku më i madh i prodhimeve bujqësore, duke e shkatërruar mikroflorën dhe faunën në pjesën e shtresës punuese, me ç’rast humbni masën organike e cila mund të transformohet në asimilate bimore.

Ndezja e hamujve (kashtës) pas përfundimit të korrje-shirjeve është rruga dhe mënyra më e keqe e mundshme për fermerë të vyer. Ndezja e hamujve rrezikon jetën dhe pronën e njerëzve. Kujdesuni për veten dhe tokën tuaj, nëse dëshironi që e njëjta t’ju jap më shumë prodhime në vazhdimësi.
Organizmat në tokë duhet të jenë në ekuilibër, të cilin balans e kemi kogjo shqetësues si pasojë e përdorimit të kimikateve, andaj është e rëndësishme të jetojnë mikroorganizmat që t’i zbërthejnë (mineralizojnë) lëndët organike në çdo tip të tokës, t’i shndërrojnë përbërjet organike në ato humike, të formojnë dhe mirëmbajnë poret e tokës (për furnizimin me ujë dhe oksigjen). Vetëm kështu “zinxhiri ushqimor” mund të jetë funksional.

Kashta përfaqëson një lloj plehu organik, andaj të njëjten përmbyseni (lavrojeni) që t’u nënshtrohet dekompozimeve në tokë, mundësisht me një sasi të Uresë (46 % azot) për t’u harmonizuar raporti i karbonit (C) i cili dominon në kashtë me azotin e dhenë me Ure, për zbërthim më efikas. Sot shumë pak lëndë organike kthehet në tokë, si pasojë e mungesës së plehut të stallës. Raporti i kashtë:kokërr sillet 1:1 dhe kalkulimet agronomike tregojnë se me djegiet e hamujve apo mbetjeve organike humbet 5-7 tonë lëndë organike për hektar.

Mos i ndezni hamullorët dhe mbetjet organike pas korrjeve, sepse duke vepruar kështu shkaktohen dëme afatgjate dhe të pakthyeshme mjedisore në tokë dhe mjedis. Latinët e vjetër patën thenë “zjarri është një shërbëtor i mirë, por një mjeshtër i keq”, andaj mos i ndizni hamullorët që të jeni zotërues të mirë ndaj tokës bujqësore, e cila na ushqen vazhdimisht.

Autor: Imer Rusinovci
Profesor ne Universitetin e Prishtinês, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email