Riciklimi, sfida e Kosovës për reduktimin e mbeturinave

Në Kosovë shumë e rrallë mund të hasësh kosha për ndarjen e mbeturinave dhe riciklimi është bërë i mundur kryesisht përmes kontributit individual të mbledhësve të mbetjeve.

Për këtë Kosova po përballët me sfida të mëdha në menaxhimin e mbeturinave. Për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe burimeve financiare të kufizuara, shumica e mbeturinave në Kosovë shkojnë në deponitë e hapura, duke shkaktuar ndotjen e mjedisit dhe shëndetin e qytetarëve.

Në këtë kontekst, riciklimi i mbeturinave bëhet një sfidë e rëndësishme për Kosovën. Nëse mbeturinat janë të ricikluara në mënyrë efektive, ato mund të shndërrohen në burime të reja dhe të përdorshme, duke reduktuar kështu sasinë e mbeturinave të depozituara në vend. Riciklimi i mbeturinave mund të ndihmojë edhe në zvogëlimin e ndotjes së mjedisit dhe në rritjen e ekonomisë lokale.

Në Kosovë, ka disa iniciativa private dhe publike që kanë filluar të fokusohen në riciklimin e mbeturinave, duke përfshirë edhe organizata joqeveritare dhe aktivistët e mjedisit. Megjithatë, është e nevojshme që qeveria dhe bizneset lokale të investojnë më shumë në këtë sektor dhe të ndërmarrin masa për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e riciklimit të mbeturinave.

Lidhur më këtë temë Motilokal.com realizoi një intervistë më profesor Besnik Shabiu, njohës i mjedisit.

Si mund të rritim përdorimin e materialeve të ricikluara në prodhimin e produkteve të reja dhe ta reduktojmë prodhimin e mbetjeve të reja?

Kjo mund të arrihet më së miri përmes nismave stimuluese që do të ndikonin tek qytetarët fillimisht në klasifikimin e mbeturinave e mandej subvencionimin e kompanive për të ricikluar mbeturinat pa nevojën për të përdorur resurse të reja.

Profesor Shabiu, a riciklohet në Kosovë dhe cilat mbeturina riciklohen?

Bazuar në Raportin e menaxhimit të mbeturinave komunale për vitin 2020, të dhënat për sasinë e grumbulluar të mbeturinave janë marrë nga raportet e 36 komunave, dhe mbi bazën e përpunimit të këtyre raporteve, gjenerimi i mbeturinave për kokë banori (kg/banorë/dite) ka rezultuar me 0.63 kg/banorë/ditë, respektivisht 230.85kg/banorë/vit. Fatkeqësisht vetëm rreth 5% e këtyre mbetjeve konsiderohet se i nënshtrohen procesit të riciklimit përmes disa kompanive private që gëzojnë kapacitete të pamjaftueshme. Të tjerat groposen apo hidhen gjithandej vendit duke krijuar numër të madh të deponive ilegale.

A inkurajohen bizneset dhe prodhuesit lokalë për të ndërmarrë praktika të qëndrueshme dhe për të përdorur materialet e riciklueshme në prodhimet e tyre?

Fatkeqësisht, përkundër disa nismave të përkrahura nga GIZ-i në disa komuna të vendit për ndarjen e mbeturinave më burim nuk ka pasur ndonjë inkurajim serioz për bizneset të cilat riciklojnë mbeturinat, andaj edhe kapacitetet e tyre vazhdojnë të mbesin të pamjaftueshme.

A do të kishim mundur ta përdorim riciklimin si një mjet për të zgjeruar punësimin dhe zhvillimin ekonomik, veçanërisht në komunitetet me nevoja të veçanta?

Sistemet e reja ekonomike të orientuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm ose ekonomisë qarkore, kërkojnë krijimin e më shumë kompanive të bazuara në ripërdorimin e produkteve të caktuara dhe për këtë nevojitet personeli i specializuar në proceset e ndryshme të klasifikimit, grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve të ndryshme. Kjo padyshim që do të ndikojë përveç efekteve pozitive në mjedis e shëndet po ashtu edhe në zgjerimin e vendeve të punës.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email