BE-ja dhe Gjermania mbështesin Kosovën me 49 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave

Zyra e BE-së në Kosovë në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, kanë shënuar përfundimin e një projekti trevjeçar kushtuar përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta në Kosovë dhe prezantuan aktivitetet e reja të nisura në këtë sektor. Gjithashtu kanë njoftuar se do ta mbështesin Kosovën me 49 milionë euro shtesë në menaxhimin e mbeturinave.

Përmes një komunikate për media, thuhet se projekti i finalizuar së fundmi me vlerë 7 milionë euro është financuar bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe është zbatuar nga GIZ-i. Si rezultat i këtij projekti, sipas njoftimit, pati një rritje të grumbullimit të mbeturinave të ngurta në të 38 komunat e Kosovës nga 57.8 për qind në 90.2 për qind, zgjerim të shërbimit të grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave duke përfshirë 77,000 familje shtesë dhe mbyllje të më shumë se 1,500 deponive ilegale.

“Projekti i financuar nga BE-ja dhe Gjermania për mbështetjen e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë ka dhënë rezultate mbresëlënëse gjatë tre viteve të fundit”, tha ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu. “Përveç rezultateve të prekshme në terren, projekti gjithashtu na ndihmoi të zhvillojmë një kornizë strategjike kombëtare për menaxhimin e mbeturinave që do të drejtojë punën tonë të ardhshme për trajtimin dhe riciklimin e mbeturinave. Ne mezi presim të punojmë me BE-në dhe Qeverinë Gjermane për të përmirësuar më tej, në përputhje me standardet e BE-së, menaxhimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë”.

Projekti mbështeti gjithashtu punën e kompanive rajonale dhe atyre lokale të grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave.

“Tarifa e grumbullimit të mbeturinave është rritur për 4 milionë euro gjatë tre viteve të fundit dhe 15 komuna kanë filluar të zbatojnë aktivitetet e riciklimit dhe kompostimit”, tha kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëkohësisht dhe kryetar i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Sipas njoftimit, përmes projekteve të reja, me vlerë 49 milionë euro, BE-ja dhe Gjermania do ta ndihmojnë Kosovën në harmonizimin e kornizës së saj ligjore për menaxhimin e mbeturinave me legjislacion të BE-së dhe do të mbështesin zbatimin e Ligjit të ri për Mbeturina dhe Strategjisë së Kosovës për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave.

“Ne po e ndihmojmë modernizimin e sektorit të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë në përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira, por çelësi është në duart e autoriteteve kosovare. Shpresojmë që së shpejti të miratohen dokumentet ligjore dhe të fillojë zbatimi i masave të parapara”, tha shefi i Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Johannes Madsen.

Burimi: Koha.net

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email