Bien temperaturat, ngritet niveli i ndotjes së ajrit në Kosovë

Me rënien e temperaturave, niveli i ndotjes së ajrit ka filluar të rritet në Kosovë.
Rënia e temperaturave ka bërë që shumë qytetarë, e sidomos ata që jetojnë nëpër shtëpi, t’i kthehen djegies së thëngjillit dhe druve si metodë për ngrohje, gjë që ndikon negativisht në cilësinë e ajrit.

Sipas të dhënave të Ambasadës Amerikane në Kosovë, ajri në Kosovë aktualisht është pak mbi vlerat e lejuara të PM 2.5.

Monitorimi i ndotjes së ajrit bëhet përmes disa mjeteve, një prej të cilëve është Indeksi i Cilësisë së Ajrit – AQI, i cili kthen të dhënat e cilësisë së ajrit në numra dhe ngjyra për t’iu ndihmuar njerëzve të kuptojnë se kur duhet të marrin masa për ta mbrojtur shëndetin e tyre.

Aktualisht, Indeksi i Cilësisë së Ajrit në Kosovë është 78, ndërsa maksimalja pritet të shkojë deri në 190.

Vlera 78 e Indeksit së Cilësisë së Ajrit nënkupton se ndotja është “mesatare” dhe e pranueshme.

Kjo vlerë e ndotjes mund të ketë brenga mesatare shëndetësore për një numër shumë të vogël njerëzish.

Për shembull, njerëzit që janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj ozonit, mund të përjetojnë vështirësi të kanaleve të frymëmarrjes.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email