Kriza klimatike, ku po shkon planeti? Samiti i COP27 në Egjipt

Temperaturat ekstreme, zjarret, thatësira dhe përmbytjet po përkeqësohen vit pas viti për shkak të ndryshimeve klimatike.

Në fakt tetë vitet e fundit sipas një raporti të OKB janë përkufizuar të jenë më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë –çka tregon se bota është zhytur në një krizë të thellë klimatike.

Konferenca e klimës COP27 në Egjipt është përqendruar në këtë çështje, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka bërë thirrje për “veprime konkrete për klimën”.

“Organizata Botërore Meteorologjike e bëri me dije se ndryshimet po ndodhin me shpejtësi katastrofike, shkatërrime në çdo kontinent. Ne duhet t’i përgjigjemi sinjalit të shqetësimeve mbi planetin me veprim ambicioze dhe të besueshme klimatike. COP 27 duhet të jetë vendi dhe koha e duhur kur vendoset,” u shpreh Antonio Guterres.

Takimi në Egjipt filloi të dielën dhe do të zgjasë deri më 18 nëntor, kurse liderët botërorë do të qëndrojnë më 7 dhe 8 nëntor.

Më shumë se 120 krerë shtetesh dhe qeveritarë po marrin pjesë në samitin e klimës. Në fjalimet e tyre ata do të përcaktojnë se çfarë kërkojnë në këtë samit.

Samiti filloi me një fjalim të presidentit të COP26, Alok Sharma, duke shënuar edhe dorëzimin zyrtar Egjiptit.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres mirëpritën disa liderë, duke përfshirë presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed Al-Nahyan, presidentin francez Emmanuel Macron, presidentin algjerian Abdelmajid Tebboune, presidentin bullgar Rumen Radev dhe kryeministrin britanik Rishi Sunak.

Për vendet e zhvilluara, reduktimi i gazeve serrë dhe një lëvizje më e shpejtë drejt energjisë së rinovueshme janë dy nga objektivat kryesore. Vendet në zhvillim – të cilat janë në ballë të ndryshimeve klimatike – duan që këto qëllime të financohen.

COP27, liderët e BE-së zotohen të vijojnë me shkurtimet karbonit

Në konferencë, kancelari gjerman Olaf Scholz është shprehur ditën e sotme se lufta e Rusisë në Ukrainë ka treguar se kalimi në energjinë e rinovueshme është “një imperativ i politikës së sigurisë”, si dhe një politikë klimatike, mjedisore dhe ekonomike largpamëse.

“Ne do të ndalojmë përdorimin e lëndëve djegëse fosile, pa nëse apo por! Nuk duhet të ketë një rilindje globale të lëndëve djegëse fosile,” tha ai, megjithëse Gjermania u ka kërkuar firmave të energjisë të shtyjnë mbylljen e termocentraleve të qymyrit pasi lufta në Ukrainë ndërpreu furnizimet me energji.

“Veprat e vendosura duhet të ndjekin premtimet tona të vendosura për mbrojtjen e klimës,” shtoi ai.

Ndërkohë, kryeministrja e re e krahut të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni tha se Italia mbetet “fortësisht e përkushtuar” për të ndjekur rrugën drejt dekarbonizimit në përputhje me Marrëveshjen e Parisit.

“Ne synojmë të ndjekim një tranzicion të drejtë për të mbështetur komunitetet e prekura dhe për të mos lënë askënd prapa,” tha ajo.

Solidaritet me vendet më të varfra

Svenja Schulze, ministre për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, tha: “Në këtë konferencë klimatike, Gjermania do të jetë një ndërtues i rëndësishëm urash midis vendeve të industrializuara dhe atyre në zhvillim. Për ta bërë këtë ne duhet të pranojmë se tashmë ka dëme të konsiderueshme klimatike, veçanërisht në vendet më të varfra. Këto vende me të drejtë kërkojnë solidaritet.”

https://m.youtube.com/watch?v=BnsBzdMZ96g&feature=youtu.be

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email