Environment Hub

Kosovë: Era dhe dielli prodhuan 470% më shumë rrymë në muajin korrik, krahasuar me periudhën e njejtë të vitit paraprak.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar bilancin e energjisë në Kosovë për muajin korrik 2022. Të dhënat tregojnë për rritje marramendëse të prodhimit të energjisë nga era dhe dielli, krahasuar me periudhën e njejtë të vitit paraprak.
Në të dhënat e publikuara theksohet se termocentralet prodhuan pak më pak rrymë (1.71% më pak) në korrik 2022, ndërsa prodhimi nga burimet e erës dhe ato solare u rritë dukshëm. Nga 4,029 MWh orë sa kishin prodhuar në korrikun e vitit të kaluar, bruto prodhimi nga këto dy burime në muajin korrik 2022 ishte 22,980 MWh, apo 470,41% më shumë, raporton Kosovo.Energy.

Në rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet dhe solare në masë të madhe kanë ndikuar projektet e erës të ndërmarrjes SOWI Kosovo në Shalë të Bajgorës, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 megavatësh, vlerëson Kosovo.Energy.

Në anën tjetër, prodhimi bruto nga hidrocentralet ishe 5.71 GWh, apo 46,75% më pak se në periudhën e njejtë të vitit të kaluar.

Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshem ishte 7.84%, theksojnë të dhënat e ASK-së.

Rriten edhe vlerat e importit dhe eksportit
Rritje kanë shënuar edhe vlerat e importit dhe eksportit. Sipas të dhënave të ASK-së, importet në muajin korrik 2022 u rritën për 25% ndërsa eksportet për 39.17%, krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.

Importi i energjisë elektrike në korrik 2022 ishte 343.72 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishte 364.98 GWh, raporton Kosovo.Energy.

Në periudhën e njejtë të vitit të kaluar Kosova kishte importuar 274 gigavat orë energji elektrike, ndërsa kishte eksportuar 262 gigavat orë energji elektrike.

Konsumi në korrik 2022 ishte 5,61% më i ulët, 55% e energjisë është konsumuar nga amvisëritë
Gjatë muajit korrik të vitit 2022 energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 476.06 GWh kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 365.85 GWh, apo -5.61 % më i vogël me muajin e njejtë të vitit paraprak.

Më së shumti energji elektrike është konsumuar nga amvisëritë, apo rreth 55%, për të vazhduar me konsumatorët komercial, të cilët kanë konsumuar 26% dhe ata industrial, të cilët kanë konsumuar rreth 5% të energjisë së disponueshme në Kosovë në muajin korrik 2022, raporton Kosovo.Energy.com

Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 6.38 mijë ton, ose 15.95% më pak sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Vegëza:

https://kosovo.energy/kosove-era-dhe-dielli-prodhuan-470-me-shume-rryme-ne-muajin-korrik-krahasuar-me-periudhen-te-vitit-paraprak/