Kosova do të reduktojë emetimet e gazrave serrë për 32% në vitin 2031

Në kuadër të draft Strategjisë së re kombëtare për energji elektrike, Kosova ka përcaktuar edhe objektivat strategjike. Ndër tjerash, një nga objektivat ka për qëllim të zvogëlojë emetimet si dhe të promovojë dekarbonizimin dhe investimet në burime të ripërtëritshme të energjisë.

“Emetimet e larta të karbonit në Kosovë do të reduktohen ndjeshëm nëpërmjet dekarbonizimit gradual të sektorit të energjisë, duke zbatuar një sistem për caktimin e çmimit të karbonit, duke transpozuar rregulloren e BE-së në lidhje me monitorimin, raportimin dhe verifikimin e emetimeve të karbonit, si dhe duke krijuar një infrastrukturë adekuate institucionale dhe teknike”, thuhet në draft strategjinë kombëtare të energjisë, të publikuar nga Ministria e Ekonomisë, raporton Kosovo.Energy.

Kosova synon të ulë emetimet e gazrave serrë për 32% dhe të shtojë pjesëmarrjen e BRE-ve në konsumin e sektorit të energjisë elektrike në 35%, nga 6.3% sa është aktualisht.

Kosova do të zbatojë çmim të karbonit në mënyrë graduale, në të njejtën mënyrë do të tërheqë subvencionet për lëndët djegëse fosile

Në rrugën drejt zvogëlimit të emetimeve të karbonit dhe krahas obligimeve të ndërmarra me nënshkrimin e agjendës së gjelbër, Kosovës do t’i duhet të krijojë një skemë kombëtare të tregtimit të emetimeve.

Sipas strategjisë së energjisë, Kosova do të përfundojë përgatitjen e sistemit të caktimit të çmimit të karbonit në vitin 2025, ndërsa të njejtin do t’a integrojë në Sistemin e Tregtimit të Emetimeve të BE-së (EU ETS) në vitin 2031, raporton Kosovo.Energy.

Gjatë kësaj periudhe, në strategjinë kombëtare të energjisë Kosova është përkushtuar që gradualisht të tërheqë subvencionet për lëndët djegëse fosile, të cilat për momentin janë të larta.

Të hyrat nga sistemi i tregtimit të karbonit do të vendosen në Fondin e Tranzicionit të Drejtë. Mënyra se si do të shfrytëzohen saktësisht fondet e mbledhura, do të përcaktohet më vonë, por mjetet mund të shfrytëzohen për promovimin e BRE-ve, aftësimin dhe riaftësimin e fuqisë punëtore, projektet e lidhura me energjinë të dedikuara për konsumatorët në nevojë etj, raporton Kosovo.Energy.

Nga 246 MW, Kosova do të shtojë kapacitetet e instaluara të BRE-ve në 1400 MW në vitin 2031

Në strategjinë kombëtare të energjisë, theks të veçantë i është kushtuar edhe vendosjes së projekteve të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë. Aty thuhet se vendi do të aplikojë procedura të ankandeve, për të siguruar një qasje më ekonomike dhe transparente.

“Procesi i ankandit do të fillojë menjëherë, me përgatitjen e dokumentacionit për ankandin e parë në vitin 2022. Duke përdorur përvojën që do të fitohet nga ky ankand, do të hartohet Legjislacioni Sekondar për Ligjin për BRE-të dhe pastaj do të organizohen raunde të mëtejshme të ankandeve gjatë viteve në vijim, për teknologjitë e erës, fotovoltaike dhe energji të tjera të ripërtëritshme”, thuhet në strategjinë e energjisë, raporton Kosovo.Energy.

Kosova ka për qëllim të shtojë kapacitetet e ripërtëritshme të instaluara në sektorin e energjisë nga 244 MW sa është tani, në 1300 MW. Përveç këtyre, në vitin 2031, Kosova ka vendosur si qëllim edhe rritjen e kapacitetit të prodhuesëve vetë-konsumues (prosumatorëve), nga 2 MW sa është tani, në 100 MW.

Kësisoji, objektivë strategjike e draft strategjisë kombëtare të energjisë elektrike është rritja e kapaciteteve të instaluara të BRE-ve nga 246 MW sa është tani, në 1400 MW.

Studime fizibiliteti për 8 ngrohtore të reja

Në draft dokumentin e strategjisë, i publikuar nga Ministria e Ekonomisë, thuhet se deri në vitin 2031, qeveria do të angazhohet në promovimin e përdorimit të energjisë së ripërtëritshme për ngrohje.

Edhe pse nuk ka përcaktuar indikatorë të saktë për përdorimin e energjisë së ripërtëritshme për ngrohje, në strategji thuhet se do të bëhen studime fizibiliteti në tetë komuna të ndryshme (përveç Gjakovës dhe Prishtinës, të cilat tashmë kanë sistem të ngrohjes qendrore), raporton Kosovo.Energy.

“Ky studim do të ndihmojë në përcaktimin e nivelit të përdorimit dhe kombinimin e këtyre teknologjive deri në vitin 2031, ndërsa sistemi ekzistues i NQ-së të Prishtinës do të diversifikojë teknologjinë e tij ashtu që deri në vitin 2025 të përfshijë edhe ngrohjen me bazë solare prej 70 MWth”, thuhet në strategji.

Komentet mbi strategjinë mund të dorëzohen deri më 27 qershor

Ndryshe, bashkë me publimin e draft strategjisë kombëtare të energjisë për vitet 2022-2031, Ministria e Ekonomisë ka filluar edhe procesin e diskutimit publik për këtë dokument.

Afati i fundit për dorëzimin e komenteve për draft strategjinë kombëtare të energjisë është 27 qershor, ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë, raporton Kosovo.Energy.

Të gjitha komentet dhe kontributet me shkrim duhet të dorëzohen në formë elektronike në e-mail adresën adnan.preniqi@rks-gov.net me titull: Kontribut ndaj procesit të konsultimit publik për Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës 2022-2031.

Burimi: kosovo.energy

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email