Environment Hub

A duhet të mësohen ndryshimet klimatike si lëndë mësimore në shkollat tona?

Nga: Afrim Berisha, PhD i Shkencave të Mjedisit

Edhe pse edukimi nuk është një zgjidhje direkte për parandalimin e ndryshimeve klimatike, megjithëkëtë ai është një nga instrumentet më efikase për të ndryshuar qëndrimin dhe për të kuptuar më mirë problemin, dhe së këndejmi është një veprim shumë i rëndësishëm në kuadër të përpjekjeve kundër ngrohjes globale. 

Hulumtimet e ndryshme e rendisin forcimin e arsimit dhe angazhimin për ndryshimet klimatike si një nga ndërhyrjet më të rëndësishme sociale për të ngadalësuar fenomenin e ngritjes së temperaturave globale. Një publik i gjerë me arsim më të mirë për problemet e klimës mund të jetë më i ndërgjegjshëm kur bëhet fjalë për përkrahjen e ndryshimeve politike dhe masave për ngadalësimin apo ndalimin e emetimeve të gazrave serë. 

Edhe agjencitë përkatëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që angazhohen për klimën e pranojnë faktin së është vështirë të imagjinohet të adresohen në mënyrë efektive ndikimet klimatike dhe ndryshimi i klimës pa një strategji të gjerë dhe të thellë edukative.
Nisur nga kjo, lënda mësimore për ndryshimet klimatike është bërë tashmë pjesë e kurrikulës mësimore në shumë shkolla publike dhe private anë e kënd botës. 
Përkundër kompleksitetit të shkencës mbi klimën dhe përkundër shumë të panjohurave që sjellë kjo lëmi, duke përfshirë edhe mungesën e ekspertizës së nevojshme për këtë njësi mësimore, interesimi për të mësuar dhe kuptuar problemet e ndryshimeve klimatike është në rritje. 

Në disa vende, angazhimi për të rritur mbështetjen për edukimin në fushën e ndryshimeve klimatike është vendosur në kuadër të planeve kombëtare të veprimit për të përmbushur implementimin e kërkesave të Marrëveshjen së Parisit për Klimën. Një shembull i tillë na vjen nga Italia, e cila që nga shtatori i vitit të kaluar zyrtarisht ka filluar mësimin e lëndës së ndryshimeve klimatike në shkolla me 33 orë mësimore në vit. Për më tepër Italia, në kuadër të Ministrisë së Arsimit një nga objektivat kryesore ka vendosur edukimin për qëndrueshmëri dhe klimë. 

Në disa vende tjera sikurse është Zelanda e Re tashmë janë përpiluar kurrikula gjithëpërfshirëse për klimën dhe po zbatohen në shkolla për nxënësit nga mosha 11-15 vjeç. Madje në përpilimin e kësaj kurrikule, Zelanda ka angazhuar edhe shkencëtarë që merren me studimin e klimës për ta bërë kurrikulen sa më efektive. 
Edhe në disa shkolla në veri të Anglisë ka filluar mësimi i ndryshimeve klimatike si njësi e veçantë mësimore. Paraprakisht, ky vend ka certifikuar mësues të veçantë për ndryshimet klimatike, dhe kjo lëndë mësimore është bërë pjesë e kurrikulës. 

DIsa vendet tjera sikurse është rasti me Uashingtonin në SHBA, lënda mësimore e ndryshimeve klimatike është futur në kuadër të buxhetit përmes një ligji të veçantë që ka për qëllim të financoj projekte trajnimi për mësuesit e shkollave publike dhe organizatat e shoqërisë civile për zgjerimin e njohurive për klimën. Vetëm gjatë vitit 2017 nga zhvillimet profesionale të këtij programi i njohur si Clime Time, përfituan rreth 7.500 mësues të shkollave publike, kryesisht mësues të shkollave fillore, ndërkohë që për dy vitet tjera u vunë në dispozicion edhe 3 milion dollarë fonde tjera. 

Në mbështetje të të gjithë këtij procesi, një kontribut të veçantë është duke dhënë edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, që përmes kurseve specifike online është duke certifikuar mësuesit për lëndën e ndryshimeve klimatike. Madje në kuadër të UNESCO është themeluar edhe Programi për Edukim për Ndryshime Klimatike dhe Zhvillim të Qëndrueshëm (CCESD), që ka për qëllim të rrisë njohuritë për ndryshimet klimatike përmes edukimit. 

Programet edukative për Ndryshime Klimatike dhe Zhvillim të Qëndrueshëm sipas udhëzimeve të UNESCO, janë adaptuar tanimë edhe në sistemet arsimore në Australi, Kinë, Japoni dhe në disa vende tjera. 
Përveç mësimeve formale ka edhe plot iniciativa jo formale për të mësuar mbi ndryshimet klimatike, ndërsa që edhe mediat kanë rritur angazhimin e tyre për të mbështetur procesin e edukimit për klimën. 

Nuk mungojnë as iniciativat individuale të nxënësve për të bërë më shumë në këtë drejtim. E kemi të freskët iniciativën e nxënëses nga Suedia, Greta Thunberg, e cila përmes veprimeve të saj çdo të premte, kërkoj nga udhëheqësit botërorë të ndërmarrin veprime konkrete për të parandaluar ndryshimin e mëtejmë të klimës. Veprimet e saj kanë frymëzuar miliona të rinj në të gjithë botën për të protestuar dhe një nga kërkesat e tyre është edhe edukimi më i mirë për klimën. 

Megjithëkëtë, në Kosovë nuk ka ndonjë iniciativë konkrete për të adresuar përfshirjen e lëndës mësimore për ndryshime klimatike në kuadër të kurrikulës së rregull edukative. Ka pasur disa shkolla që kanë aplikuar si lëndë zgjedhore mbrojtjen e mjedisit, por që ka pasur një përmbajtje shumë të kufizuar të njohurive për ndryshimet klimatike. Për ndryshimet klimatike, tërthorazi në mënyrë sipërfaqësore mësohet edhe në disa lëndë tjera mësimore si Gjeografi apo Fizikë. 
Një përpjekje tjetër për të bëre më shumë në këtë drejtim ishte edhe “Paketa e Gjelbër”, një propozim kurrikule e përgatitur nga Qendra Rajonale për Mjedis. Kjo paketë i dedikohej mësimit të mbrojtjes së mjedisit në shkolla të mesme të ulëta, e ku kalimthi trajtoheshin edhe disa probleme të ndryshimeve klimatike. Mirëpo, përkundër përpjekjeve kjo pako nuk u zyrtarizua asnjëherë si një kurrikule për mësimin e mbrojtjes së mjedisit në shkollat tona. 

Andaj, duke parë trendet globale të përfshirjes së ndryshimeve klimatike në kurrikulat mësimore të shkollave publike dhe duke marrë për bazë që problemi i ndryshimeve klimatike është në rritje, mbase edhe këtu tek ne do të duhej që të kishte iniciativa konkrete që mësimi për klimën të formalizohej përmes moduleve specifike obligative ose zgjedhore. 

Më se miri do të ishte që kjo iniciativë të vinte nga Ministria e Arsimit, e cila së bashku me ekspertët e arsimit të ulët dhe ekspertët që njohin problemin e klimës do të përgatisnin një kurrikull për mësimin e lëndës së ndryshimeve klimatike për nxënësit nga mosha 11-15 vjeçe, duke ndjekur praktikat e vendeve që kanë shënuar progres në këtë drejtim.

https://gjelberohu.blogspot.com/2020/08/a-duhet-te-mesohen-ndryshimet-klimatike.html?m=1#more