Milionat e taksës ekologjike për vetura nuk shkojnë për ambientin

Kryeqyteti i Kosovës disa herë ka qenë në top pesë kryeqytetet me ajrin më të ndotur në botë.

Krahas problemeve të theksuara me menaxhim të mbeturinave, ndotje të lumenjve, hapësirave të gjelbra e pyjeve, Kosova vazhdon të ketë problem edhe ndotjen e ajrit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Prishtina dhe Obiliqi janë dy vendbanimet që zakonisht e kanë ajrin më të ndotur në Kosovë.

Për herë të parë në vendin tonë monitorimi i cilësisë së ajrit ka filluar në vitin 2009, me vendosjen e një sistemi të monitorimit automatik në Prishtinë, ndërsa aktualisht rrjeti nacional i matjes së cilësisë së ajrit ka 12 stacione fikse dhe një mobil.

Shkaktarët e ndotjes së ajrit janë të shumtë, por ajri i ndotur përkthyer në elemente shkencore përmban materiet grimcore si PM10, PM2.5, oksidet e azotit (NOx), dyoksidi i sulfurit (SO2), monoksidi i karbonit (CO), arseni (As), plumbi (Pb) si dhe zhiva(Hg).

Shkaktari më i madh i krijimit të dioksidit të sulfurit në ajër në Kosovë konsiderohet të jetë sektori i industrisë; të oksideve të azotit janë industria dhe transporti; të materieve grimcore si PM10 dhe PM2.5 janë djegiet e vogla.

Ndotës të madh të ajrit janë edhe veturat. Sidomos veturat e vjetra.

Në Kosovë për shembull, në vitin 2018 kishte 24 mijë e 202 vetura të tipit ‘Golf 2’, që për herë të parë ka dal në qarkullim në vitin e largët, 1984.

Kjo shifër përbënte 10% të veturave totale të regjistruara në Kosovë.

Kjo shifër në vitin 2019 ishte përgjysmuar, duke rënë në 12 mijë e 952 vetura të tilla.

“Taksa ekologjike duhet të përkthehet në investime në mjedis”

Që nga viti 2012, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve.

Secili automjet që regjistrohet në Kosovë, detyrohet të paguajë një taksë ekologjike, që sipas Ligjit, automjetet nën 3.5 ton duhet të paguajnë 10 euro, ndërsa ato mbi 3.5 ton paguajnë 30 euro.

Nga taksa janë të liruar traktorët dhe mjetet e lehta bujqësore.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Kosovë gjatë vitit 2021 janë regjistruar 21 mijë e 748 mjete transportuese mbi 3.5 ton dhe duke llogaritur taksën 30 euro për këtë lloj të automjeteve, i bie që shteti i Kosovës ka inkasuar çdo vit mesatarisht 652 mijë e 440 euro nga taksa ekologjike për automjetet mbi 3.5 ton.

Ndërsa, po ashtu sipas ASK-së, gjatë vitit 2021 në Kosovë janë regjistruar 42 mijë e 730 automjete nën 3.5 ton, duke llogaritur taksën prej 10 euro, shteti ka inkasuar çdo vit mesatarisht 427 mijë e 300 euro nga kjo kategori.

Që në total për automjetet nën dhe mbi 3.5 ton, Kosova nga taksa ekologjike gjatë vitit 2021 ka inkasuar 1 milion e 79 mijë euro.

Ambientalistja Nora Simitçiu thotë se qytetarët e Kosovës vazhdojnë që të paguajnë taksën ekologjike çdo vit, sipas Ligjit, por që shuma e cila akumulohet nga kjo taksë, ende nuk dihet se ku dedikohet specifikisht.

Ajo thotë se një gjë tjetër paradoksale në kjo taksë, është se Ligji i obligon edhe pronarët e makinave hibride që të paguajnë taksë ekologjike.

“Në vend se pronarët e automjeteve që nuk bëjnë emetim apo bëjnë emetim të ulët të gazrave ndotës të mbështeten nga politikat shtetërore, ata përkundrazi detyrohen të paguajnë një taksë të tillë njëjtë si një makinë e cila shkakton ndotje të lartë, gjë që është mjaft dekurajuese. Pra përveç që duhet të specifikohet se ku dhe si dedikohet ky buxhet i akumuluar në të njëjtën kohë ky ligj duhet edhe të rishikohet”.

Kjo taksë, Simitçiu thotë se duhet të fillojë të investohet në projekte mjedisore siç janë riciklimi i mbetjeve; krijimi i impianteve për ujërat e zeza; krijimin e hapësirave të gjelbra dhe rikuperimin e biodiversitetit.

“Jo vetëm çështja e katalizatorëve por komplet procesi i riciklimit të mbetjeve të ndryshme duhet të fillojë të merr prioritet nga Qeveria e Kosovës”.

Shteti ynë duhet të marrë për bazë praktikat e vendeve tjera të cilat tashmë e kanë zgjidhur këtë problem duke krijuar së pari legjislacion të nevojshëm i cili ndalon shitjen e katalizatorëve për skrap dhe ndalon përpunimin e tyre nga persona joadekuat”, thekson ajo.
FOTO – KALLXO.com – Veturë duke liruar gazra në Prishtinë

Pse veturat janë të dëmshme për ambientin?

Veturat konsiderohen ndotësit më të mëdhenj të ajrit në një vend urban. Tymi që lëshohet nga veturat e që më pas përfundon në ajër, përmban materie grimcore të rrezikshme për shëndetin.

Por përveç tymit, veturat janë të dëmshme për ambientin dhe shëndetin e njeriut edhe në një tjetër aspekt. Përmes katalizatorëve apo siç njihet ndryshe konvertuesi katalitik.

Katalizatori në veturë shërben për të pastruar gazrat e shkarkimit dhe rrjedhimisht për të reduktuar emetimet e dëmshme në mjedis. Zakonisht një katalizator ka afat të përdorimit në një veturë rreth 4 deri në 5 vjet.

Katalizatori, në vetvete përmban disa metale të çmueshme dhe kjo shtyn njerëzit që të bëjnë grumbullimin e tyre, për të marrë metalet e çmueshme. Pjesën tjetër të katalizatorit e hedhin në mënyrë të pakontrolluar.

Katalizatorët kanë përmbajtje kimike të përafërt me atë azbestit, e për këtë arsye konsiderohen si një rrezik i madh për njerëzit, kafshët dhe mjedisin në përgjithësi.

Nora Simitçiu me profesion është ekologe. Gjithashtu është aktiviste e ambientit në organizatën jo-qeveritare ‘Ec ma Ndryshe’.

Ajo thotë se katalizatorët së fundmi janë klasifikuar në grupin e mbetjeve shumë të rrezikshme, meqenëse përmbajnë fibra qeramike refraktorë, të cilat konsiderohen kancerogjene për njeriun.

“Për shkak të këtij niveli të lartë të rrezikshmërisë shumica e shteteve të zhvilluara në botë e kanë të rregulluar me ligj specifikisht çështjen e katalizatorëve. Si ekologe mendoj që për Kosovën është e rëndësishme që të rregullohet kjo çështje sa më parë meqenëse zbrazëtitë e tilla ligjore u japin hapësirë metalshitësve apo kompanive jo kompetente që këta katalizatorë t’i përpunojnë duke rrezikuar shëndetin dhe ambientin”.

Shteti i Kosovës specifikisht Ligj për katalizatorët nuk ka, por që në kuadër të Ligjit për Mbeturina, trajtohen automjetet mbeturinë dhe komponentët e tyre.

Në nenin 38 të këtij Ligji, janë të kategorizuara edhe mbeturinat e veçanta, që sipas Ligjit, nuk paraqesin rrezik për mjedisin dhe shëndetin e njeriut. Në këtë kategorizim janë të përfshira edhe automjetet e hedhura dhe mbeturinat e tyre.

Ndërsa neni 48 i këtij Ligji flet për menaxhimin e automjeteve mbeturinë.

Ky nen thotë se personat që menaxhojnë automjetet mbeturinë duhet të jenë të licencuar.

“Grumbullimi, demontimi dhe trajtimi i automjeteve mbeturinë bëhet në qendra për grumbullimin dhe trajtimin e këtyre mbeturinave. Personat të cilët menaxhojnë automjetet mbeturinë mbajnë evidencën dhe shënimet për sasinë e grumbulluar dhe trajtuar të mbeturinave, si dhe ndarjen e materialeve dhe komponentëve të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut”, thuhet në pikat 2 dhe 3 të Ligjit për Mbeturina.

Gjoba, sipas Ligjit për mbeturina, për kompanitë që menaxhojnë për automjetet mbeturinë pa e marrë licencën, shkon nga 5 mijë deri në 50 mijë euro.

Ministria e Mjedisit nuk ka të dhëna të sakta për kompanitë e licencuara

Ministria e Mjedisit nuk ka treguar saktë se sa kompani në Kosovë janë të licencuara për trajtimin e automjeteve mbeturinë, përfshirë këtu edhe të katalizatorëve. Në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, ata thonë që janë disa të tilla, pa treguar numrin e saktë.

“Në Kosovë janë të pajisura disa kompani private që merren me mbledhje, grumbullim dhe trajtim fizik të mbeturinave metalike, përfshirë këtu automjete mbeturinë dhe komponentët e tyre”.

Por, Ministria e Mjedisit nuk e dinë saktë se çka ndodhë me katalizatorët, pasi që hiqen nga veturat. Një përgjigje e shkurtë me shkrim e Ministrisë, thotë se kryesisht mbeturinat e makinave, eksportohen jashtë vendit.

“Këto mbeturina kryesisht eksportohen jashtë vendit. Ministria ka hartuar legjislacionin primar dhe sekondar për mbeturina, që është Udhëzimi Administrativ për automjetet mbeturinë dhe komponentët e tyre”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Në anën tjetër, Dogana e Kosovës nuk ka ofruar të dhëna se sa katalizatorë janë eksportuar gjatë tre viteve të fundit nga Kosova. Ata kanë ofruar të dhënat vetëm për importin.

Këto të dhëna tregojnë se Kosova në vitin 2019 ka importuar 72 kilogram katalizatorë; në vitin 2020, 40 kilogram si dhe në vitin 2021 kjo shifër është rritur në 123 kilogram katalizatorë.

Pasi që Ministria nuk ka të dhëna të sakta se çka ndodhë me katalizatorët, kur të hiqen nga veturat, Nora Simitçiu nga organizata jo-qeveritare ‘Ec ma Ndryshe’, thotë se shteti i Kosovës duhet që ta trajtojë këtë çështje me prioritet të lartë.

Ajo bën të ditur faktin se katalizatorët në vete përmbajnë metale të çmueshme siç janë rodiumi, platiniumi dhe paladiumi, të cilat Simitçiu thotë se mund të jenë shumë fitimprurëse dhe se ideja e përfitimit nga ky proces i riciklimit, mund të shtyjnë shumë individë që pa u penguar të përpunojnë katalizatorët, që si rrjedhojë të shkaktojnë kontaminim mjedisor.

“Tashmë vendet e zhvilluara e kanë ndaluar rishitjen e katalizatorëve te tregtarët e skrapit dhe kjo mund të bëhet vetëm tek kompanitë të cilat janë licencuar nga organet kompetente për të kryer shërbimin e riciklimit të katalizatorëve. Republika e Kosovës mund të marrë për bazë praktikat e zhvilluara nga këto shtete në trajtimin e këtyre mbetjeve dhe në bashkëpunim me ekspertët mjedisor të krijojë zgjidhje adekuate”, thekson ekologia Simitçiu.

Agjensia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), në Raportin për menaxhimin e mbeturinave komunale për vitin 2020, thotë se komunat në Kosovë nuk kanë qenë në gjendje që të ofrojnë të dhëna cilësore lidhur me aktivitetin e riciklimit të mbeturinave.

“Gjatë përpunimit të të dhënave të raporteve kemi parë se nuk mundemi me ofru ndonjë shifër të përafërt të sasisë së mbeturinave që riciklohen nëpër komuna”, thuhet në Raport. Raportimet e KALLXO.com lidhur me përdorimin e qeseve të plastikës.

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email