Të jetosh në epokën dixhitale ‘i mbështjellur’ me letër

Nga viti 2010 deri në vitin 2060, konsumi global i letrës pritet të dyfishohet. E njëjta gjë do të jetë edhe sasia e mbeturinave të letrës. Një rritje e prodhimit të letrës do të rritë gjithashtu shpyllëzimin e pyjeve në mbarë botën që veçse janë në një gjendje kritike.

Shumë biznese po përpiqen të arrijnë qëllimin e një zyrë pa letra. Megjithatë, kjo më shumë për shkak të rrëmujës që krijon dokumentacioni në letër, sesa për të zvogëluar ndikimin e tyre në mjedis. Duke përdorur më pak letër, ne ndihmojmë në shpëtimin e drunjve nga prerja. Por sa letra prodhohen nga një pemë?

Prodhimi i letrës vjen nga një përzierje e llojeve të ndryshme të pemëve. Ndërsa shumica e letrës prodhohet nga pisha, pemët e tjera përdoren për të krijuar pulpë, e cila më pas shndërrohet në fletë letre. Një konsideratë tjetër është fakti se pemët gjithmonë e ndryshojnë madhësinë dhe formën. Disa pemë janë më të larta me trungje të holla, ndërsa të tjerat janë më të shkurtra dhe më të gjera. Natyrisht, pemët gjithmonë dallojnë në varësi të moshës, mjedisit dhe llojit të pemës së tyre.

Në 40 vitet e fundit, përdorimi i letrës është rritur 400%. Kjo do të thotë se mbi 2 milion drunj priten çdo ditë për konsum global të letrës, që do të thotë se 4 miliard pemë priten çdo vit për t’i plotësuar nevojave tona për letër.

Sot ekzistojnë kompani që përdorin nënshkrimet dixhitale, duke evituar printimin e kontratave dhe dokumenteve të rëndësishme. Po ashtu, në rritje janë edhe pagesat e faturave të rrymës, ujit, gazit dhe shërbimeve të tjera online.

Së fundmi edhe rrjeti i supermarketeve me pakicë Coop nuk do të printojë më automatikisht faturat për klientët në marketet e tij. Sipas tyre klientët tani e tutje mund të marrin një faturë letre në arkë vetëm nëse e kërkojnë atë në mënyrë eksplicite. Duke hequr dorë nga printimi automatik, Coop thotë se do të kursejë më shumë se 400 tonelata letër në vit. Përveç për supermarketet, mënyra e re e administrimit të faturave do të vlejë edhe për departamentet e ushqimit të dyqaneve të Coop City, degët Karma dhe Sapori dhe Coop To Go. Ndërkaq, ka më shumë se dy vjet që faturat e printuara automatikisht nuk janë të disponueshme në arkat vetëkontrolluese (pa personel) të Coop. Atje, klientët zgjedhin nëse duan një faturë të printuar apo jo. Nëse përdoret Superkarta, atëherë ajo aktivizohet si faturë dixhitale që liston blerjet.

Por sa janë të gatshëm supermarketet në Kosovë që të mos ofrojnë fatura të printuara për të kursyer letër?

Motilokal.com i dërgoi pyetje rrjetit të marketeve Meridian Express për të parë interesimin për dixhitalizimin e faturave.

“Ne si kompani vazhdimisht jemi duke u munduar që të krijojmë mënyra më të mira për të kontribuuar në komunitet. Momentalisht, mënyra se si janë të konfiguruara arkat fiskale, idenë tuaj është bën të pamundur. Në fakt, në rast të mos printimit të faturës/kuponit fiskal ne gjobitemi nga inspektorati edhe pse shitja fiskalizohet dhe nuk ka shmangie nga tatimi. Kështu që po shpresoj që në të ardhmen do të kemi ndryshim të llojit të arkave fiskale dhe do të kemi mundësi që konsumatorit t’ia përcjellim edhe faturën elektronike”, u shpreh Agon Gashi, njëri prej zyrtarëve të Meridian Express.

Lidhur me këtë, motilokal.com vazhdoi interesimin duke dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore të Kosovës, por fatkeqësisht nuk mori përgjigje.

Ndikimi i letrës në mjedis

Ekologia nga Prishtina, Albulena Kokollari për motilokal.com u shpreh se: “Ndikimi mjedisor i prodhimit të letrës është i rëndësishëm për t’u theksuar pasi sjellë shumë efekte negative. Duke filluar nga ajo se industritë e përpunimit të letrës, që janë kontribuues të mëdhenj në problemin e shpyllëzimit dhe gjithashtu fajtor për rrezikimin e disa specieve që jetojnë në pyje.”

Ajo theksoi se rëndësia e drunjve është e pamatshme. Sipas saj shpyllëzimi është shkaktar edhe për shumë katastrofa natyrore si vërshimet, erozioni, zhdukja e biodiversitetit, rritja e CO2 në atmosferë, ngrohja globale etj. Në anën tjetër, cikli i jetës së letrës është i dëmshëm për mjedisin dhe për organizmat, që nga fillimi deri në fund, pasi që fillon me prerjen e një peme dhe shumicën e herëve përfundon duke u djegur, e me këtë rast liron dioksidin e karbonit në atmosferë. Po ashtu, shumica e materialeve në vendgrumbullime (deponi) janë prej letre (rreth 26%). “Kur letra kalbet, ajo liron metan i cili është një gaz i dëmshëm që kontribuon në efektin serrë. Letra është e riciklueshme, por jo të gjithë e riciklojnë. Kjo është edhe njëri nga shkaktarët e problemeve të shumta mjedisore”, shtoi ekologia Kokollari.

Më tej ekologia potencoi se industritë e letrës prodhojnë okside të azotit dhe oksid squfuri që janë kontribuues kryesorë në shiun acidik. Po ashtu, këto industri janë burime të lëndëve të ngurta dhe lëndëve të tjera të dëmshme, të cilat derdhen në lumenj dhe liqene duke bërë ndotjen e tyre dhe biodiversitetin e tyre.

“Prodhimi i letrës përfshin edhe përdorimin e një sasie të madhe të energjisë, që është një nga problematikat globale, ku edhe ballafaqohemi me krizën globale të energjisë. Këto probleme të lartpërmendura dhe një sërë problemesh tjera që i sjell prodhimi i letrës, bëjnë që të kërkojmë zgjidhje të tjera alternative për ta zëvendësuar përdorimin e letrës”, nënvizoi znj. Kokollari.

Motilokal.com bashkëbisedoi edhe me njohësin e mjedisit si dhe drejtorin e Institutit të Politikave Mjedisore në Shqipëri, Endri Haxhirajn, i cili u shpreh: “Përdorimi i letrës në fakt është problem mjedisor që jo çdo kush do të donte të fliste. Përse? Prodhimi i letrës harxhon shumë energji si dhe ka shkarkime të larta karboni.”

Ai theksoi se prerja e pemëve, përpunimi, prodhimi i letrës dhe shpërndarja, të gjitha këto procese sot kryhen kryesisht me energji fosile dhe shkarkojnë CO2, pa marrë parasysh prerjen e pemëve dhe heqjen si prodhues O2-shi.

“Gjithashtu, është një proces që kërkon shumë ujë, 324 litra për një kg letër, ose 10 litra ujë për të prodhuar një fletë A4”, shtoi njohësi i mjedisit Haxhiraj.

Më tej ai shpjegoi se letra prodhohet me zbardhues me bazë klori dhe shpesh nga fabrikat e letrës kemi ndotje të ujit, tokës e ajrit nga klori i lëshuar nga procesi. Prandaj, duhet ulur drastikisht konsumi i letrës.

“Praktikisht në Shqipëri, shpërdorohet shumë letër. P.sh vetëm lëshimi i një fature të fiskalizuar me pagesë me bankë printohet në të paktën 3 faqe për blerësin dhe minimalisht 1 faqe për shitësin ndërkohë që faturat mund të ishin të gjitha online. Së fundmi, edhe çmimi i letrës është rritur tashmë, kështu që përveç ndotjes që po i bëjmë brezave, ka filluar edhe një problem në anën financiare”, deklaroi Haxhiraj.

Cila është zgjedhja?

Ekologja Albulena Kokollari për Motilokal thotë se një nga zgjidhjet për reduktimin e letrës është dixhitalizimi.

“Dixhitalizimi është një proces i konvertimit të informacionit nga forma e shtypur në një format dixhital (të kompjuterizuar). Ky proces është mjaft i rëndësishëm pasi që ndihmon në përmirësimin e efikasitetit të procesit, qëndrueshmërisë dhe cilësinë e tij. Ky proces kursen kosto, eviton gabimet njerëzore, i ruan më sigurt të dhënat, mundëson analizimin më të lehtë të të dhënave, etj. Si proces i ka ndihmuar shumë bizneset dhe është shumë i rëndësishëm për ta. Përmes dixhitalizimit, personat kanë qasje kudo dhe kurdo në të dhënat e tyre, pasi celularët është teknologjia më e përdorur nga të gjithë njerëzit. Tani edhe pagesat, dërgesat, dokumentet e shumë aktivitete të rëndësishme për ne mund t’i bëjmë në mënyrë dixhitale”, theksoi ekologja Kokollari.

Fakte rreth letrës dhe mbetjeve të letrës:

324 litra ujë përdoren për të bërë 1 kilogram letër.

Për të bërë një copë letër A4 nevojiten 10 litra ujë.

93% e letrës vjen nga pemët.

50% e mbetjeve të bizneseve përbëhet nga letra.

Për të printuar një botim të së dielës të Neë York Times duhen 75,000 pemë!

Riciklimi i 1 ton letre kursen rreth 682,5 litra vaj, 26,500 litra ujë dhe 17 pemë.

Kërkesa për letër pritet të dyfishohet para vitit 2030.

Nga Shkelzen Rrecaj

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email