Reagim i qytetarëve për skandalin mjedisor lidhur me azbestin dhe mungesën e hapësirave të gjelbërta

Këshilli i banorëve i lagjes Lakrishtë është pritur sot nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Z. Përparim Rama.

Në këtë takim banorët shprehën shqetësimin dhe argumentet e tyre lidhur me skandalin mjedisor të shkatërrimit të pakontrolluar të azbestit kancerogjen ashtu sikurse prezantuan edhe listën e shkeljeve ligjore e procedurale rreth projektit të dyshimtë 120 milionësh afaristo- banesor të Ndërmarrjes Publike Banesore, i cili ishte lejuar nga ish qeverisja komunale.

Këshilli i banorëve dorëzoi një peticion të nënshkruar nga rreth 1 mijë banorë të moshës madhore, kryesisht kryefamiljarë përmes të cilit i kërkohet kryetarit të Komunës së Prishtinës, Kuvendit Komunal, ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që mbi bazën e argumenteve t`i rishqyrtojnë të gjitha vendimet e paligjshme dhe të anulojnë tërësisht këtë projekt të dyshimtë ndaj të cilit po zhvillohen hetime nga Policia e Kosovës.

Përfaqësuesit e banorëve pasi shprehën shqetësimin e tyre për jotransparencën që e kishte shoqëruar këtë projekt dhe mungesën e debatit publik, parashtruan kërkesën përmes peticionit për krijimin e një parku në pronën publike komunale duke e argumentuar këtë kërkesë me mungesën e hapësirave të gjelbëra, shkallën e madhe të ndotjes së mjedisit dhe faktin se kjo lagje gjendet në një zonë të stërngarkuar nga ndërtimet e larta dhe automjetet.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama pasi falënderoi banorët për argumentet e prezantuara u shpreh i shqetësuar me skandalin e shkatërrimit të azbestit dhe premtoi se do të merret me trajtimin e këtij rasti dhe evitimin e pasojave të vazhdueshme me të cilat po përballen banorët si pasojë e kontaminimit. Ai premtoi se Komuna e Prishtinës, pas shqyrtimit të argumenteve të prezantuara nga ekspertët ligjorë, do t`i anuloj të gjitha vendimet e paligjshme përderisa theksoi se do të jetë partner bashkëpunues dhe mbështetës ndaj kërkesave të arsyeshme të banorëve.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email