Në sheshin e Pejës vendoset monitori elektronik për matjen e cilësisë së ajrit

Cilësia e ajrit në Pejë të hënën ishte i dobët.

Kështu tregonte monitori elektronik për matjen e cilësisë së ajrit në kohë reale, i vendosur në sheshin e qytetit nga organizata mjedisore e Pejës “Let’s Do It Peja”.

Ky matës tregon parametrat e në kohë reale të nivelit të monoksidit të karbonit, dyoksidit të sulfurit, dyoksidit të azotit, ozonit dhe grimcave të pluhurit në ajër të liruara nga gazrat e ndryshme.

Në këtë ekran vizual elektronik me prekje (Touchscreen), qytetari mund të lexojë informacione të shumta jo vetëm për cilësinë e ajrit, por edhe për ndotësit e ajrit, pasojat për shëndetin nga ndotja e ajrit dhe rekomandime të ndryshme për të mbrojtur ajrin nga ndotja.

Përurimi i këtij monitori digjital për monitorimin e cilësisë së ajrit, është shoqëruar edhe nga një grup nxënësish të fillores, që mbanin në duar pankarta të ndryshme me mbishkrime ndër të tjera: “Stop ndotjen e ajrit sepse po ndotim jetën tonë”, “Ndaloni ndotjen e ajrit”, “Stop ndotjes së ambientit”, “CO2 krijojnë Ozon”, “Përdorimi i biçikletës më i shëndetshëm se i makinës”.

“E kemi vendosur këtu në sheshin e qytetit që është shumë i frekuentuar, që me ju tregua qytetarëve të Pejës sa është ndotja e ajrit në kohë reale dhe çka mund bëjnë ata për ta parandaluar ndotjen e ajrit. Pra nuk është vetëm një ekran informimi për cilësinë e ajrit në kohë reale, por edhe për vetëdijesimin e qytetarëve për ruajtjen e ajrit nga ndotja”, u shpreh Gent Agolli nga organizata mjedisore “Let’s Do It Peja”, para se të përurohej ky monitor me një kosto mbi 6 mijë euro.

Ky monitor është vendosur në kuadër të projektit për ngritjen e vetëdijes institucionale dhe qytetare kundër ndotjes së ajrit “United for Clean Air – Të bashkuar për ajrin”, të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe në mbështetje edhe të Komunës së Pejës.

“Të kontribuojmë secili prej nesh që të shfrytëzojmë sa më tepër mjete alternative për lëvizje, si biçikleta dhe të ecim më tepër këmbe në qytet dhe sa më pak të shfrytëzohen automjete për lëvizje në qytet. Dhe për ngrohje të përdoren ngrohje që nuk shkaktojnë ndotje të ajrit”, u shpreh Rajan Arapi, drejtor komunal për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Vendosjes së këtij monitori në kuadër të projektit  “Të bashkuar për ajrin”, më qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit në Pejë, i ka paraprirë mbjellja a fidanëve javën e kaluar në dy shkolla të mesme të Pejës, në çerdhen publike dhe në hapësirat e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, si dhe një draft raport i publikuar muajin e kaluar për cilësinë e ajrit në Pejë dhe gjendjes së krijuar nga ndotësit e ndryshëm të ajrit.

Sipas atij raporti është rrit numri i ndotësve të ajrit në Pejë dhe burimet kryesore të ndotjes së ajrit, sipas këtij raporti në radhë të parë është trafiku, si burim më i madh i ndotjes së ajrit. Pastaj furrat e bukës, qebaptoret, piceritë, restorantet, hotelet, si dhe objektet private e publike, cilat përdorin për ngrohje dru, qymyr, pelet dhe mazut, fabrika që përdorin për ngrohje vajra të përdorura, goma të vjetra dhe bizneset që punojnë me tekstil, që shpesh djegin edhe tekstilin për ngrohje, lëndë këto që janë të ndaluara.

Në këtë draft-raport, sikurse edhe në monitorin për cilësinë e ajrit, gjenden edhe rekomandimet për përmirësimin e cilësisë së ajrit, në mesin e të cilave edhe vendosja e filtra në oxhaqe te ndotësit potencial, reduktimi maksimal i përdorimit të lëndëve djegëse fosile, ndërmarrja e iniciativës për ndërtimin e ngrohtores së qytetit, ndërtimi i shtigjeve të biçikletave, ndalimi i regjistrimit të automjeteve të vjetra dhe pa filtër, të bëhet me shumë promovimi i cilësisë së ajrit dhe ndikimi i ajrit të ndotur në shëndetin e njeriut. Prandaj siç thanë përfaqësuesit e organizatës mjedisore “Let’s do it Peja”, ky monitor dhe matjet e cilësisë së ajrit kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për përmirësimin e cilësisë së ajrit si dhe vetëdijesimin e bizneseve ndotëse për instalimin e filtrave për pastrimin e gazrave të emetuara në ajër.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email