Largohen mbi 100 deponi ilegale

Me bagera e kamionë, u larguan 45 mijë metra kub mbeturina.

Deponia, e cila është krijuar për vite me radhë në fshatin Bërnicë, po largohet nga Komuna e Prishtinës pak para se të përfundojë mandati i qeverisjes së Shpend Ahmetit.

Sipas Drejtorisë për Shërbime Publike, gjatë dy vjetëve të fundit janë hequr 140 deponi ilegale nga kryeqyteti, 20 nga to të mëdha si rasti i këtij të fundit.

“Në vitin 2019, sipas raportit Agjencisë për Menaxhimin e Mjedisit të Kosovës kanë qenë të identifikuara 146 deponi ilegale në Prishtinë. Në vitin 2021 ai numër ka rënë në 6. Ne vazhdimisht kemi larguar deponi. Kemi pasur diku rreth 20 deponi të mëdha njëra ndër to është edhe kjo që po e largojmë në fshatin Bërnicë. Kjo deponi ka pasur mbi 45 mijë metër kub mbeturina të cilën jemi duke e larguar”, ka thwnw Medina Braha, drejtoreshë e Shërbimeve Publike në Prishtinë.

Megjithëse Braha thotë se kanë mbetur vetëm edhe 6 deponi, drejtoria nuk po mund të ndalë rikrijimin e tyre.

“Deponi të përmasave të tilla edhe në zonën industriale, në fshatin Lebanë, në Hajvali,. Kemi rënë në 6, por tani kemi edhe disa të vogla të cilat rikrijohen për shkak se është e pamundur në secilën pjesë t’i rrethojmë në ato hapësira. Disa vende i kemi rrethuar”, ka shtuar ajo.

Ajo ka potencuar se një herë në dy muaj bën grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme në çdo lagje në mënyrë që të mos krijohen deponi ilegale.

Qytetarët thonë se përgjegjësi të madhe kanë vetë ata, porse institucionet duhet të bëjnë më shumë që t’u krijojnë më shumë kontejnerë.

Megjithatë, për dënime të qytetarëve që hedhin mbeturina në vend jo të duhur është Drejtoria e Inspektoratit, e cila nuk ka dhënë përgjigje nëse kanë shqiptuar dënime për qytetarët.

Klikoni këtu për ta shikuar video materialin.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email