Përfaqësues nga Kosova zgjidhen në Bordin Drejtues të rrjetit të Parqeve Dinarike

Drejtori i Parkut Kombëtare “Sharri” Bajram Kafexholli dhe Drejtori i Parkut Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna”, Fatmir Morina, po marrin pjesë në Konferencën Vjetore të Parqeve të Harkut Dinarik – (Rrjeti i Zonave të Mbrojtura të Dinarikeve), që këtë vit po mbahet në Bar të Malit të Zi.
Këtë vit konferenca e rrjetit është duke u zhvilluar me moton “Zonat e Mbrojtura për Dekadën e Re- Sfidat e Ardhshme”. Një nga synimet kryesore të konferencës është përmirësimi i komunikimit në mes të anëtarëve të rrjetit dhe forcimi i bashkëpunimit për zhvillimin e planeve dhe nismave të reja për të ardhmen.
Temat kryesore të konferencës këtë vit janë: ndikimin e pandemisë COVID në zonat e mbrojtura, zgjerimi i rajonit të Dinarideve me zona të reja të mbrojtura, perspektiva e zonave të mbrojtura në kontekstin e politikave të Bashkimit Evropian, menaxhimi i vizitorëve në zonat e mbrojtura, monitorimi i llojeve të gjitarëve në zonën e Dinarideve si dhe presionet mbi burimet natyrore në zonat e mbrojtura të këtij rajoni. Anëtarët e Rrjetit kishim mundësinë të njihen në detaje edhe me aktivitetet e kryera në dy vitet e mëparshme.
Në përputhje me Statutin e Parqeve Dinaride, në kuadër të konferencës është mbajtur edhe Asambleja e Përgjithshme e rrjetit ku është bërë zgjedhja e anëtarëve të Bordit të ri Drejtues. Në kuadër të zgjedhjes së anëtarëve të rinj për Bordin Drejtues Kosova përfaqësohet me pozicionin e nënkryetarit të këtij rrjeti dhe me një anëtar në Këshillin Teknik të Bordit.
Përveç përfaqësuesve të parkut Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna” dhe Parkut Kombëtarë “Sharri”, Kosova në këtë rrjet është e përfaqësuar edhe më Parkun e Natyrës “Gërmia”.
Parqet e Kosovës janë anëtare më të drejta të plota të rrjetit të Parqeve Dinaride që nga viti 2014. Rrjeti i Parqeve Dinaride, përbëhet nga 95 zona të mbrojtura nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i zi, Maqedonia, Sllovenia, Kroacia dhe Serbia.
Facebook
Twitter
LinkedIn
Email