Thirrje për mbrojtje të pyjeve të Parqe Kombëtare nga zjarret

Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës / AMMK- MMPHI, këto dy ditë do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë.
Kjo situatë meteorologjike vie si pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga pjesa veriore e Afrikës.
Indeksi UV do të mbetet shumë i lartë dhe preferohet zbatimi i këshillave të IKSHP, që nga ora 09:00-17:00 të mos ekspozohemi rrezeve direkte të diellit.
Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 16-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 35-37 gradë Celsius.

Temperaturat e larta në stinën e verës, përveç ndikimeve negative në shëndetin e njeriut shtojnë dukshëm mundësinë e përhapjes së zjarreve nëpër pyje, përfshirë edhe pyjet në Parqet Kombëtare.

Me qëllim të parandalimit të paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre, MMPHI/AMMK përmes Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Drejtorisë për Administrim e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ka shtuar vigjilencën, gatishmërinë, kontrollin dhe monitorimin e territorit të Parqeve.

Për të menaxhuar këtë situatë në mënyrë më efikase, është shtuar edhe niveli i bashkëpunimit me të gjitha organet relevante.

Me këtë rast apelojmë tek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht tek vizitorët, banorët e zonave të parqeve, shfrytëzuesit e pronave, dhe qytetarët tjerë që të kenë kujdes maksimal në parandalimin e paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre në territorin e parqeve.

Ju bëjmë me dije po ashtu se bazuar në Ligjin Nr. 03/L-233 për mbrojtjen e natyrës parashihen dispozitat ndëshkuese për ndezjen e zjarreve.

Kërkojmë nga të gjithë Ju, që në rast se shihni ndonjë ndezje eventuale të zjarrit në Parqe Kombëtare ta lajmëroni në numrat e kontaktit Drejtoritë përkatëse:
Drejtorinë e Parkut Kombëtar “ Bjeshkët e Nemuna” janë: 048 222 718 dhe 044 155 735; dhe
Drejtorinë e Parkut Kombëtar “ Sharri” janë: 045 308 164 dhe 044 263 188.

Numrat emergjentë të disa institucioneve me rëndësi që duhet t’i keni parasysh janë:
Zjarrfikësit: 193;
Policia e Kosovës: 038/192, dhe mobil 192;
Qendra e thirrjeve në kuadër të Policisë së Kosovës: 112; dhe
Ndihma e shpejtë: 194 dhe 038/ 500 094.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email