Kapaciteti i instaluar i energjisë solare në Kosovë në fund të vitit 2020 ishte 20.9 megavat

Sipas raportit të fundit ‘Sigura e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë: Vlerësimi i gjeneruesve fotovoltaik në Kosovë’ të përgatitur nga DT Global për USAID në Kosovë, kapaciteti total i instaluar i energjisë solare fotovoltaike në fund të vitit 2020 është 20.9 megavat.

Kur konvertohet në energji, ky kapacitet përfaqëson një pjesë modeste prej 0.04% të konsumit total të energjisë elektrike në Kosovë.

Sektori solar në rritje, rritja u përshpejtua nga masat për energji të ripërtëritshme brenda skemës granteve bujqësore

Që nga viti 2013, sektori solar fotovoltaik vazhdoi të rritet përkundër shumë sfidave me të cilat u përball si industri e re, thuhet në raport.

‘Nxitja e vërtetë për sektorin erdhi në 2014, kur Ministria e Bujqësisë prezantoi masat për energji të ripërtëritshme brenda skemës së granteve bujqësore. Bazuar në numrin e granteve të dhëna që nga viti 2014, dhe informacionit nga Ministria e Bujqësisë dhe firmat e instalimeve, në sektorin e bujqësisë ka rreth 1,073 projekte të instaluara të shkëputura nga rrjeti, me kapacitet total të instaluar prej 3,690 kilovat’, thuhet në raportin e USAID të siguruar nga Kosovo.Energy.

Kapaciteti mesatar i instaluar i paneleve solare fotovoltaike për grante bujqësore është ndërmjet 1 dhe 5 kilovat për projekt dhe midis 6-12 kilovat për objektet agro-përpunuese.

Skema e mbështetjes përmes tarifës nxitëse ka sjell 10 megavat projekte solare në operim

Sipas raportit të USAID, rritja më e madhe e kapaciteteve solare në Kosovë ka ndodhë gjatë vitit 2018, ndërsa shumica e projekteve që kishin filluar operimin ishin pjesë e skemës së mbështetjes të bazuar në tarifën nxitëse në Kosovë.

Pas vitit 2018, viti 2019 ka shënuar vitin me më së shumti projekte solare, prapë përmes skemës mbështetëse të bazuar në tarifën nxitëse.

Ndryshe, sipas raportit, skema mbështetëse e bazuar në tarifën nxitëse, gjatë periudhës 2013-2019, rezultoi me gjithsejt 42 kërkesa për autorizim. Gjashtë nga këto kërkesa kanë marrë edhe autorizimin përfundimtar dhe tani janë në operim. Fuqia e instaluar e këtyre projekteve është 10 megavat në orë.

Ndërkaq, raporti thekson se rreth 8 kërkesa në skemën mbështetëse të bazuar në tarifën nxitëse, me gjithsej 20 megavat kapacitete të instaluara kanë marrë autorizimin preliminar ndërsa 28 kërkesa tjera me gjithsej 82.26 megavat fuqi të instaluar janë ‘kërkesa në shqyrtim’ ose ‘në listën e pritjes’.

50 projekte me fuqi prej 1,527,91 kilovat orë janë në operim përmes skemës mbështetëse për gjeneruesit vetë-konsumues

Ndërsa, skema tjetër mbështetëse për gjeneruesit vetë-konsumues e vendosur në 2018 dhe deri në fillim të dhjetorit 2020, ka rezultuar në 1,527,91 kilovat ose pesëdhjetë projekte të autorizuara që janë në operim, thuhet në raportin e USAID.

Në këtë kategori, vetëm një projekt është në fazë shqyrtuese, me kapacitet të instaluar prej 67.2 kilovatësh, thuhet në raport.

Raporti ka theksuar se bjatë periudhës 2013 –2020, janë realizuar një numër i konsiderueshëm i instalimeve pas njehsorit.

Bazuar në sondazhin e projektit për siguri të furnizimit me energji elektrike të USAID në Kosovë, të kryer gjatë tetorit-nëntorit 2020, ka të paktën 180 instalime të tilla të gjetura kryesisht në biznese të sektorit privat aktive në shpërndarje, shitje me pakicë dhe prodhim.

‘Skema Mbështetëse e bazuar në Kornizën e Rregulluar (që përfshin çmimin referent për BRE-të) nuk është përdorur nga ndonjë zhvillues deri më sot’, thuhet në raport.

Klima aktuale për investime në projekte solare në Kosovë: mesatarisht e favorshme

Për përgatitjen e projekteve në shkallë shërbimi të energjisë solare fotovoltaike prej 200 megavatësh, Kosova me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë tashmë është në proces të zhvillimit të një baze të re ligjore për përfshirjen e sektorit privat bazuar në ankande dhe tenderim konkurrues, thuhet në raport.

‘Për projekte në shkallë të vogël të energjisë solare fotovoltaike për vetë-konsum, Kosova ka vendosur një skemë tjetër mbështetëse në formën e njehsimit neto, e cila deri më tani është dëshmuar të jetë mesatarisht e suksesshme për shkak të një numri të barrierave ligjore dhe teknike’, ka theksuar raporti.

Në anën tjetër, raporti i ri i USAID ka konkluduar se klima aktuale e investimeve për projekte solare fotovoltaike në shkallë të vogël në Kosovë mund të konsiderohet mesatarisht e favorshme, pasi që bankat lokale dhe Institucionet Shumëpalëshe të Financimit (ISHF) tashmë janë duke siguruar financim bazuar në normat e interesit të tregut, dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) po siguron garanci kreditore.

‘Për projektet e energjisë solare FV në shkallë shërbimi, sfidat kyçe janë të lidhura me nevojën për të mbuluar risqet e likuiditetit, politikave, politike dhe të ndërprerjes së biznesit, dhe nevojën për të përmirësuar njohuritë e financimit të projekteve (p.sh., struktura, siguria, dhe zbutja e risqeve)’, thuhet në raport.

Si palë kontraktuese e Komunitetit të Traktatit të Energjisë, Kosova është e detyruar të zhvillojë sektorin solar

Kosova është Palë Kontraktuese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë të lidhur mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Evropës Juglindore për të zgjeruar tregun e brendshëm të energjisë të BE-së në Evropën Juglindore dhe më gjerë.

Si palë kontraktuese, Kosova ka marrë një numër detyrimesh që rrjedhin nga Traktati, duke përfshirë caqet e detyrueshme për pjesën e energjisë së ripërtërishme në konsumin përfundimtar të energjisë.

Sipas raportit të USAID, skema stimuluese e njohur si ‘Tarifa Nxitëse’, së bashku me procedurën e autorizimit të bazuar në parimin ‘shërbim për të parin me radhë’, është dëshmuar e suksesshme.

‘Për të arritur caqet e detyrueshme për energji të ripërtëritshme të vitit 2020 të përcaktuara nga Traktati, Kosova ka vendosur politika, korniza ligjore dhe rregullative, dhe ka përcaktuar kapacitetin e instaluar për lloje të ndryshme të burimeve të ripërtërishme të energjisë (BRE) që do të mbështeten nga një skemë stimuluese e njohur si Tarifa Nxitëse, së bashku me Procedurën e Autorizimit bazuar në parimin “shërbim për të parin në radhë”, është dëshmuar të jetë e suksesshme, pasi ka tërhequr investime private vendore dhe të huaja për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të bazuara në BRE dhe ka ndihmuar Kosovën të përmbushë caqet e BRE-ve të vitit 2020’, vlerëson raporti.

Investitorët dhe kreditorët vendas kanë investuar në impiante fotovoltaike solare dhe hidrocentrale të vogla, ndërsa investitorët e huaj, të mbështetur nga institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kanë zbatuar me sukses projekte të mëdha të erës, nënvizon raporti.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email