Dita Botërore e Shpendëve Shtegtarë shënohet me vendosjen e shtëpizave të drurit për zogj

Më 10 maj dita Botërore e Shpendëve Shtegtarë, është shënuar nga EC Ma Ndryshe me vendosjen e disa shtëpizave të drurit për zogj në parkun e qytetit të Gjakovës. Këto shtëpiza janë ndërtuar dhe vendosur së bashku me vullnetarët e KVRL (Këshilli i Veprimit Rinor Lokal).

Qëllimi i këtij aktiviteti është që të kontribuohet në krijimin e kushteve të përshtatshme dhe mbrojtjes së habitatit të këtyre specieve. Shtëpitë për Zogj kanë një rëndësi të veçantë sepse sigurojnë një vend të sigurt për zogjtë, që të ndërtojnë foletë e tyre, duke i mbrojtur nga kushtet atmosferike dhe grabitqarët.

Zogjtë luajnë një rol dinamik në funksionimin dhe mirëmbajtjen e ekosistemeve. Rëndësia ekologjike e zogjve është e theksuar në fusha të shumta. Ata shërbejnë si kontrollues të dëmtuesve. Meqenëse zogjtë ushqehen me insekte, ata ndihmojnë në eliminimin e dëmtuesve të padëshiruar dhe e reduktojnë nevojën për të përdorur pesticide të dëmshme.
Në anën tjetër një kontribut të madh që e japin zogjtë është edhe konservimi i bimëve. Ata pasi i hanë bimët, mbajnë farat në zorrët e tyre dhe i depozitojnë në vende të reja duke kontribuar në përhapjen e florës.

Meqenëse ne gjithmonë e më shumë po përballemi me humbjen e habitateve dhe pakësimin e vendeve të folenizimit të shpendëve, është parë e nevojshme që të realizohet një iniciativë e tillë, duke shpresuar që kjo të përcjellë mesazhin tek qytetarët dhe institucionet për shtim të kujdesit ndaj kësaj kategorie të rëndësishme të ekosistemit.

HumanRightivism
Embassy of Sweden in Pristina
Community Development Fund – CDF
EC Ma Ndryshe

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email