EC-i vazhdon serinë e debateve “Green Talks – Biseda të gjelbra”

EC Ma Ndryshe ka vazhduar serinë e debateve “Green Talks – Biseda të gjelbra”, qëllimi i të cilave është nxitja e debatit për mjedis mes nxënësve të shkollave dhe përfaqësuesve të institucioneve si dhe njoftimi i të dy palëve me angazhimet e njëri tjetrit, me fokus çështjet mjedisore.

Këtë herë debati është mbajtur në qytetin e Lipjanit, ku kanë marrë pjesë nënkryetari i komunës së Lipjanit, z.Fauz Xhemajli, si dhe nxënësit dhe mësimdhënësit nga Shkollat Fillore të Mesme të Ulëta: “Dy dëshmorët”, “Emin Duraku”, “Ismail Luma” dhe “Vëllezërit Frashëri”.

Në fillim të këtij takimi është prezantuar projekti në kuadër të të cilit organizohet ky aktivitet nga Nora Simitçiu-EC Ma Ndryshe, sikurse edhe qëllimi i realizimit të aktiviteteve të tilla. hulumtimeve mjedisore.

Pastaj para nënkryetarit, përfaqësues të shkollave prezente kanë paraqitur aktivitetet me të cilat angazhohen ata. Nxënësit kanë njoftuar për angazhimin e tyre përmes të cilit kanë kontribuar në realizimin e aksioneve të pastrimit dhe aksioneve të mbjelljes, ndërhyrjet në oborre të shkollës përmes materialeve të riciklueshme, funksionalizimin e shportave “Smart bin” dhe të ngjashme. Megjithatë nxënësit i kanë vlerësuar si të pamjaftueshme intervenimet e deritanishme duke e pasur parasysh kapacitetin e shkollave. Ata gjithashtu kanë adresuar çështjen e mungesës së hapësirave të shfrytëzueshme të gjelbra brenda oborreve të shkollave të tyre dhe kanë shfaqur kërkesat për pasurimin me gjelbrim të disa zonave të caktuara. Poashtu nga nxënësit është kërkuar edhe shtimi i inventarit urban për të rritur komoditetin dhe shfrytëzueshmërinë e hapësirave të përbashkëta me theks të veçantë krijimin e këndeve të lodrave brenda hapësirave të oborrit të shkollës.

Në anën tjetër nënkryetari i Komunës z. Xhemajli ka njoftuar të pranishmit për aktivitetet dhe projektet aktuale të Komunës. Ai ka theksuar se Komuna e Lipjanit ka qenë shumë mbështetëse ndaj iniciativave të shumta, si: intervenime në parqe e mbjellje të fidaneve. Përfaqësuesi i Komunës njëkohësisht tha se do të vazhdojë të mbështesë kërkesat e qytetarëve sepse ato janë të duhura dhe të mirëseardhura për Komunën e Lipjanit dhe se janë të hapur për planifikim të përbashkët e për ndonjë kërkesë tjetër bashkëpunimi që mund të dalë në të ardhmen nga këto shkolla.

Takimi është realizuar duke respektuar masat e përcaktuara nga IKSHPK.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Email